Ndeshjet e nesërme të Shqipërisë kundër Republikës Çeke dhe Polonisë tri ditë më vonë, do të jenë vendimtare për fatin e kuqezinjve në grupin kualifikues të “Euro 2024” të kuqezinjve. Skuadra e Silvinjos do të përballet praktikisht me dy kandidatet favorite për të prerë biletën për në Gjermani verën e ardhshme.
Shqipëria nuk ka luajtur ende as gjysmën e ndeshjeve të kësaj fushate kualifikuese, por pas nisjes me humbje në transfertën polake, fitoret me Moldavinë 2- 0 dhe Ishujt Faroe në transfertë, e vendosën skuadrën në pozicionin e dytë në Grupin E, me 6 pikë pas tri ndeshjesh, vetëm -1 pikë nga Çekia kryesuese dhe +3 nga Levandovski me shokë. Është një pozicion që kushdo do të kishte firmosur në fillim të këtyre kualifikueseve. Por testi i vërtetë do të jenë dy ndeshjet e radhës. Shqipëria do të ketë luksin minimalisht për të mos u mundur ndaj dy ekipeve që i kërcënojnë këtë pozicion aktualisht dhe të shoh më tej më e qetë drejt së ardhmes.
VARIANTI I – një fitore në Pragë nesër, rezultat për të cilin Silvinjo ka premtuar se ka udhëtuar drejt Çekisë, do t’i katapultonte kuqezinjtë në krye me 9 pikë, ndërsa Polonia me shumë mundësi do t’u bashkohej çekëve në vend të dytë, duke parë sfidën e lehtë në letër në Varshavë përballë Ishujve Faroe. Nëse ndodh mrekullia në “Fortuna Arena”, kuqezinjtë vijnë në Tiranë të dielën me euforinë për të mos e ndërprerë këtu kapitullin e misionit të tyre, ndërsa një tjetër rezultat maksimal ndaj polakëve, mund të thuhet se e mbyll këtu historinë e kualifikimit në finalet e Europianit. Një Shqipëri me 12 pikë pas 5 ndeshjesh dhe e para e grupit, e vendos skuadrën në pozicion shumë komod, madje edhe për mbrojtje rezultati në tri sfidat e radhës: presim Çekinë në 12 tetor dhe duke mos humbur kualifikohemi automatikisht pavarësisht rezultateve të rivalëve, shkojmë në Moldavi në 17 nëntor dhe presim Ishujt Faroe në Tiranë më 20 nëntor.
VARIANTI II – Por Shqipëria nuk është e dëshpëruar për të kërkuar me çdo kusht fitoret në dy sfidat e radhës: një situatë ideale do të ishte edhe një barazim dhe një fitore në këto dy ndeshje të radhës, që përkthehen në 4 pikë dhe sërish një situatë që mund t’i gjejë tanët me shumë mundësi të parët pas këtij raundi kualifikuesesh.
- Advertisement -
VARIANTI III – Kryqëzimi i tretë më i mirë i mundshëm i rezultateve është që Shqipëria vetëm të mos humbasë në këto dy ndeshje: pra të marrë 2 pikë dhe të mos lejojë shkëputjen e Çekisë, apo afrimin apo kapërcimin e polakëve, për ta tentuar kualifikimin më vonë. Në këtë rast, rivalët do të ishin aty, me të njëjtin hap, por në këtë rast do ishim të dënuar të mos humbnim ndaj Çekisë në Tiranë dhe sulmuar për maksimumin ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, dy rivalë që i kemi mundur deri tani, por që duhet t’u marrim në rastin më të mirë 4 pikë, ose në më të keqin dy. Por këto janë vetëm llogari me laps e me letër dhe fusha është një tjetër histori. Ajo që ka rëndësi në këtë moment është vetëm Çekia dhe marrja e maksimumit në një ndeshje që duhet konsideruar si finale. Vetëm duke i marrë ato njëra pas tjetrës, ëndrra gjermane do të mbetet gjallë…