Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mirëpriti ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, me të cilin biseduan për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve me theks të veçantë rreth Odes Ekonomike Nordike në Kosovë të themeluar po këtë vit, dhe mundësive për rritjen e shkëmbimeve tregtare.
Ata folën edhe për procesin e integrimeve evropiane dhe zgjerimin në dritën e takimeve me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Athinë ku u bisedua për Planin për Zhvillim të Bashkimit Evropian dhe fjalimin e Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili në Forumin Strategjik të Bledit bëri thirrje që viti 2030 të synohet si afati deri kur BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të gatshëm për zgjerim dhe anëtarësim.
Në takim u bisedua edhe për çështjet aktuale, përfshirë dialogun dhe zgjedhjet që pritet të mbahen në katër komunat në veri të Kosovës.