Gjilani nuk ka mundur të qëndrojë më shumë se sa një rreth në garat e kupave evropiane.
Skuadra nga qyteti me të njëjtin emër është eliminuar nga Conference League prej skuadrës së Luksemburgut, Progres Niedercorn.
Ndeshja e të enjtes në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë është mbyllur me rezultat 2-0 në favor të mysafirëve.
Gjilani shumicën e kohës ka luajtur me dhjetë lojtarë. Kjo pasi Sinani ka marrë karton të kuq në minutën e katërmbëdhjetë.
Pjesa e parë është mbyllur pa gola.
Ka qenë minuta e gjashtëdhjetë e pestë kur Mazure-Hanus ka gjetur golin e avantazhit për mysafirët pas një asisti nga Mixtur.
Më pas Gjilani ka provuar ta barazojë rezultatin, por nuk ia ka dalur.
Madje në kohën e shtesë e ka pranuar edhe golin e dytë kur ka realizuar Jarmouni.
Ndeshja e parë në Luksemburg ishte mbyllur me rezultat të barabartë 2-2.
Në rrethin e dytë të Conference League, Progres Niedercorn do të ballafaqohet me skuadrën nga Danimarka, Midtjylland.
Skuadrat e tjera nga Kosova që luajnë ende në garat e kupave evropiane janë: Ballkani, Dukagjini dhe Drita.