Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ligji i miratuar së fundmi në Kuvendin e Kosovës e rregullon pagën minimale dhe jo përfitimet e mirënjohjet ndaj veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai gjatë pjesëmarrjes së fushatës së korrje – shirjeve në komunën e Lipjanit, ndër të tjera është deklaruar edhe për protestën e veteranëve të UÇK-së, e cila është paralajmëruar të mbahet sot.
“Ligji i cili kaloi së fundmi në Kuvendin e Republikës së Kosovës e rregullon pagën minimale. Ne jemi për benifite sa më të larta për veteranët e UÇK-së, mirëpo këto benifite s’janë punë. Paga është për punë, ndërkaq benifitet janë mirënjohje e shoqërisë, e cila u jepet veteranëve të luftës për luftën çlirimtare, fitimtare e cila është në burim të shtetësisë, pavarësisë e lirisë sonë”, tha kryeministri.
Tutje, ai theksoi se si ekzekutiv angazhohen për të pasur një ligj të ri, por që sipas tij, “për këtë gjë u nevojiten faktet të jenë të sakta”.
- Advertisement -
“Unë besoj se në luftë kanë qenë më shumë se 60 mijë pjesëmarrës, mirëpo ka një lloj trefishimi të numrit të veteranëve, andaj është e domosdoshme që gjërat t’i quajmë me emrat adekuat. Veteranët sipas komandantëve të UÇK-së janë diku 20 mijë, mirëpo nëse i bashkëngjisim edhe pjesëmarrësit atëherë janë më shumë se 60 mijë”, u shpreh Kurti.
I pari i ekzekutivit tutje shtoi se ajo që i duhet Qeverisë dhe Kuvendit është dosja në prokurori, si “kthim në të vërtetë faktike të numrit të veteranëve”.
“Unë do të dëshiroja që kur të merremi me organizatat e dala nga lufta, të krijojmë mundësinë që veteranët edhe të punojnë, sepse një numër i madh i tyre s’janë për pensionim sepse janë të rinj, shumë nga ta si kanë as 50 vjet”, shtoi Kurti.
Kurti: Qeveria nuk provokoi, sulmi i opozitës ishte i përgatitur
Kryeministri Albin Kurti është deklaruar edhe për përleshjet e fundit në Kuvendin e Kosovës mes pozitës dhe opozitës. Ai ka thënë se ata që duan të sulmojnë, kërkojnë shkaqe.
- Advertisement -
“Aty nuk bëhej fjalë për provokim apo kundërprovokim, por është sulm i përgatitur meqenëse shpejtësia me të cilën ja mësyn nga ulëset e tyre disa deputetë drejt ulëseve të kolegëve të mi nga Qeveria teksa unë mbaja fjalim tregon qartazi se s’kishte asgjë spontane”, u shpreh ai duke komentuar dhunën e ndodhur në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Tutje Kurti tha se atë ditë i është penguar fjala e tij si kryeministër, pavarësisht që pas pauzës dy orëshe ai kishte qenë i gatshëm për t’iu përgjigjur tri pyetjeve parlamentare, të cilat ia kishte shtruar opozita.
I pari i ekzekutivit në fund kërkoi nga deputetët që të organizojnë debate parlamentare, në të cilat siç tha ai “do t’i shoshisim mendimet tona pa dhunë”.