Policia e Kosovës nga mbrëmë ka filluar t’i reduktojë trupat policore në objektet komunale në veri, pas marrëveshjes së arritur mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lajmi është konfirmuar për RTK-në nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.
“Pas pranimit të vendimit të Qeverisë nga ana e Menaxhmentit të Policisë, i njëjti është dërguar në terren për ekzekutim. Vendimi i Qeverisë ka filluar të implementohet”, tha Elshani.
Sipas marrëveshjes së arritur të hënën në Bratislavë, e cila u bë publike të martën nga Qeveria, në kuadër të hapave të shtensionimit të situatës në veri, Kosova do ta reduktojë për 25 për qind prezencën e Policisë në dhe rreth objekteve komunale.
- Advertisement -
Borell mirëpret vendimin
Vendimi i Qeverisë së Kosovës është mirëpritur nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.
“E mirëpres zotimin e Kosovës ndaj marrëveshjes që arritëm në hapat e parë për shtensionim. Presim që Kosova të ndërmarrë hapa të mëtejshëm pozitivë dhe të vazhdojë të përparojë në këtë drejtim. Ne do të vazhdojmë të punojmë me palët në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me Miroslav Lajçak”, ka shkruar Borrell.