Ish-portieri i Kombëtares së Holandës, Edwin van der Sar pas një gjakderdhje në tru është shtruar në spital gjatë pushimeve në Kroaci, por tash është në gjendje të qëndrueshme, ka konfirmuar të premten ish-klubi i tij, Ajax Amsterdam.
“Edwin van der Sar ka pasur një gjakderdhje rreth trurit të tij. Ai është aktualisht në spital në njësinë e kujdesit intensiv dhe është në një gjendje të qëndrueshme”, ka njoftuar Ajax përmes një deklarate të shkurtër.
Ish-portieri i njohur holandez së fundmi ishte drejtor te Ajax, por u largua para përfundimit të sezonit të kaluar pasi klubi përfundoi i treti në Eredivisie duke humbur për herë të parë që nga viti 2009pjesëmarrjen në Champions League. Van Der Sar konsiderohet legjendë e klubit Manchester United pasi kaloi gjashtë vjet në këtë klub para se të largohej në vitin 2011.