Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot pasdite pritet të jetë në Prishtinë në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit, ku janë konfirmuar takimet e tij me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca. Ndërsa, kryeministri Kurti nuk ka konfirmuar ende se do të takohet me Ramën. Njohësit e çështjeve politike në Kosovë, thonë se kjo ftohje e raporteve nuk i shërben asnjërit vend.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, viziton sot pasdite Kosovën, në një turne ballkanik në kuadër të Procesit të Berlinit, që e filloi paradite në Maqedoninë e Veriut. Rama pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani nga ora 16:00 dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, në orën 17:15. Por, Rama në agjendën që e ka publikuar, ka shkruar se është “në pritje të konfirmimit” të takimit me kryeministrin Albin Kurti.
Në postimin e tij në Twitter, ai ka bërë të ditur se Kosovës i janë dërguar 13 marrëveshjet e nënshkruara dhe pas kësaj, ai pret që homologu i tij, Albin Kurti, të konfirmojë takimin e paraparë të mbahet më vonë gjatë ditës. Rama iu referua 13 marrëveshjeve që do të duhej të nënshkruheshin gjatë mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë më 14 qershor, por që u anulua nga Rama për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.
Ndërsa, kryeministri Kurti ka thënë të mërkurën se me Ramën do të takohej vetëm nëse do të ketë mbledhje të dy qeverive shqiptare.
- Advertisement -
Për këtë raport të krijuar ndërmjet dy kryeministrave shqiptarë, njohësit e çështjeve politike në Kosovë, thonë se prishja e raporteve me Shqipërinë e dobëson Kosovën e veçanërisht në rajon dhe para sfidave të mëdha drejt përfundimit të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Artan Muhaxhiri tha për Radio Kosovën se kjo situatë është zhgënjyese, ndërsa theksoi se kryeministri Kurti duhet ta presë sot në takim kryeministrin Rama.
“Nuk ka asnjë kuptim që liderët e dy vendeve të sillen në këtë mënyrë, duke bllokuar njërit-tjetrin dhe duke krijuar tensionim të panevojshëm. Në vend që të kishte harmonizim të veprimeve dhe bashkëpunim, që do të çonte në rezultate pozitive si për Kosovën, ashtu edhe për Shqipërinë. Kryeministri Kurti duhet ta tejkalojë veten e ta gjejë vullnetin që në momentin e fundit të bëjë një ndryshim e të takohet me kryeministrin Rama, pasi vetëm kështu mund të kontribuojë në shtensionimin e raporteve politike ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. Në të kundërtën, kjo nuk i bën nderë asnjërit vend.”
Edhe njohësi i çështjeve politike, Valon Murati, tha se kryeministri Kurti duhet ta presë në takim Ramën, derisa theksoi se raporti i krijuar, nuk është lajm i mirë për sa i përket pozicionit të faktorit shqiptar në rajon.
“Unë këtë e shoh si pjesë të një konteksti në të cilin ne gjendemi. Pra, është produkt i zhvillimeve të fundit politike dhe pozicioneve të ndryshme që kanë, qoftë kryeministri Kurti, qoftë kryeministri Rama. Unë nuk shoh asnjë arsye që ata të mos takohen. Kam një përshtypje që nuk do të ndodhë takimi, sidoqoftë a do të duhej të ndodhte, po, kryeminisri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë duhet të takohen përherë dhe jo vetëm zyrtarisht, për të koordinuar çdo aktivitet.”
- Advertisement -
Sipas agjendës së publikuar, Rama në Shkup, takohet me krerët shtetërorë. Më pas ai do të niset drejt Prishtinës për t’u takuar me presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Ndërkaq, të premten ai do të vizitojë Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë.