Këtë vit “Deliart Association” është ndalur aty ku e nisi 25 vjet më parë historinë e të vetmit konkurs bukurie në Shqipëri. Mbrëmjen e 8 korrikut Tirana do të mirëpresë garën e këtij viti, që natyrshëm është konceptuar në një mbrëmje që e tejkalon një konkurs të thjeshtë bukurie. Një spektakël që garanton shumë surpriza, në një nga zonat më “in” të momentit, në sheshin Italia.
Me prezantimin e Hygerta Sakos, mbrëmja e kësaj të shtune, përveç 25 bukurosheve të këtij viti do të ngjisë në skenë edhe artistë të jashtëzakonshëm, të ftuar specialë si Stresi, Nrg Band, Adelina Tahiri, Ciljeta, West Side Family, Armaldo Kllogjeri, Endri dhe Stefi, Orgesa Zaimi, Kastro Zizo, Stine dhe artiste te rinj si Koko Antonel apo Giacomo Merlo, të cilët premtojnë një mbrëmje për të mos u harruar.
Ndërsa juria profesioniste e përbërë nga figura të fushave të ndryshme, Arta Dade, Aldona Elezi , Inis Gjoni, Kastriot Caushi, Altin Hazizaj, Gent Shkullaku, Zana Guxholli, Ciljeta, Drita Ziri dhe Niko Komani do të votojnë për Mbretëreshën e këtij viti.
Një event spektakolar në zemer të Tiranës, 25 vajza që konkurojnë për titullin më prestigjoz të bukurisë në Shqipëri dhe një spektakël që premton emocione. Kush do të jetë mbreteresha e 25-të e “Miss Shqipëria”?