Departamenti amerikan i Shtetit tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” si organizata terroriste. Nga Qeveria thonë se këto organizata, si të tilla, nuk mund të funksionojnë më në Kosovë. E njohësit e çështjeve të sigurisë theksojnë se këto organizata që nga paslufta kanë paraqitur rrezik për qytetarët e pjesës veriore.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës me të cilin të ashtuquajturat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste është publikuar të premten në Gazetën Zyrtare, që nënkupton se nga sot është në fuqi.
Por për këtë vendim ka reaguar Departamenti Amerikan i Shtetit duke thënë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket këtij vendimi.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për ta zgjidhur krizën aktuale”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.
- Advertisement -
Zëdhënësi i DASH-it tha se SHBA-ja dënon dhunën e papranueshme ndaj trupave të misionit të NATO-s, KFOR dhe se ata që kanë kryer për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës, pas një procesi të rregullt me transparencë të plotë.
Ndërsa Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se ka bazë ligjore për shpalljen e grupeve “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste.
Ajo tha se asnjë organizatë terroriste e çfarëdo lloji prejardhje etnike nuk duhet të lejohet të veprojë në Kosovë.
“Asnjë organizatë terroriste e çfarëdolloj prejardhje etnike apo çfarëdolloj përbërje kriminale të ketë nuk duhet të lejohet të veprojë në Republikën e Kosovës. Ne jemi zotuar për sundim të ligjit në çdo cep të vendit dhe aty organizatat të cilat ushtrojnë terror ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës, nuk kanë vend”, tha ministrja Gërvalla.
Por kush janë “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” që dje u shpallën organizata terroriste nga Qeveria? Për këtë të fundit në verën e vitit të kaluar pati folur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
- Advertisement -
Në një konferencë për medie në atë kohë, Vuçiq pati thënë se “Brigada e Veriut” është një grup tifozësh të klubit futbollistik Crvena Zvezda. ”Unë jam një person i saktë. ‘Brigada e Veriut’ janë tifozët e Zvezdës”, kishte deklaruar presidenti serb.
Por ajo çka dihet tashmë është se emri i këtij grupi terrorist është pothuajse në çdo cep e qosh të rrugëve të veriut. Ndërsa “Mbrojtja Civile”, që po ashtu u shpall organizatë terroriste nga Qeveria, kishte dalë publikisht në vitin 2011.
Atëkohë, disa njerëz me uniforma të zeza, me mbishkrimin “Mbrojtja Civile”, janë parë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, duke shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë. Shuarja e “Mbrojtjes Civile” ishte paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në Bruksel në vitin 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Deri në vitin 2016, rreth 500 pjesëtarë të saj janë integruar në institucionet e Kosovës. Por, këto kanë shprehur vazhdimisht dyshime për vazhdimin e funksionimit të këtij formacioni.
- Advertisement -
Njohës të çështjeve të sigurisë në Mitrovicë, thonë se këto organizata që nga paslufta kanë paraqitur rrezik për qytetarët e pjesës veriore.
“Këto organizata janë të rrezikshme qysh prej mbarimit të luftës në Kosovë. Ato njihen gjithmonë për sabotime në këtë qytet… që janë të rrezikshëm dhe që kanë qenë të rrezikshëm që 22-23 vite me emra të ndryshëm, tash me këta dy emra, këtu nuk ka asnjë dyshim”, tha Arben Dashevci njohës i çështjeve të sigurisë.
Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë.