Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja rreth dyshimeve për kurdisje të ndeshjeve basketbollistike në Superligën e Kosovës, Ligën Unike Kombëtare dhe Ligën Ballkanike, nga trajneri Arbnor Rifati dhe gjyqtari Daut Mehmeti.
Sipas policisë, gjyqtari Daut Mehmeti po ashtu ka bashkëvepruar me referë dhe trajnerë ndërkombëtar në kurdisjen e lojërave, me qëllim të fitimit të basteve, njofton rtv21.tv.
“DHKEK ka zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për kontroll në dy lokacione të ndara, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Prizren. Urdhër-kontrolli është zhvilluar me qëllim të sigurimit të dëshmive shtesë dhe arrestimin e dy të dyshuarve në lidhje me veprën penale ‘kurdisje e ndeshjes ose sportit’. I dyshuari i parë (refer me licencë ndërkombëtare), dyshohet të ketë kurdisur ndeshjet basketbollistike në kuadër të Super ligës së Kosovës, Ligës Unike Kombëtare dhe Ligës Ballkanike, veprimet i ka kryer në bashkëveprim me të dyshuarin e dytë (trajner basketbolli). Të dyshuarit i kanë kryer këto veprime me qëllim të përfitimit material. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa fletëpagesa, katër telefona dhe dy shtëpiza të kompjuterit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve. /21Media