Pak ditë pas humbjes në finalen e Ligës së Kombeve me penallti ndaj Spanjës, një lajm i keq vjen për Luka Modric. Mesfushori i Real Madridit dhe Kroacisë do të duhet të përballet bashkë me kolegun dhe bashkëlojtarin e tij, Lovren, me akuza të rënda që rrezikojnë të kenë pasoja të rënda nëse konfirmohen.
Prokuroria e Osijekut akuzon fituesin e “Topit të Artë”, Luka Modric dhe ish-lojtarin e Liverpool-it, aktualisht te Lyon, Lovren për dëshmi të rreme në një aferë të vitit 2017, siç raportohet nga agjencia kroate e lajmeve “Hina”. Mesfushori merengues akuzohet se e ka kryer këtë vepër penale gjatë një gjyqi para gjykatës komunale të Osijekut.
Procedimi në fjalë është ai ndaj tre drejtuesve të lartë të Dinamo Zagrebit dhe një zyrtari tatimor, të akuzuar nga ana prokuroria për evazion fiskal dhe përvetësim të paligjshëm të parave nga Dinamo në transferimet e Modric te Tottenham më 2008 dhe Lovren te Lyon më 2010. Luka u thirr për të dëshmuar në datat në të cilat u nënshkruan anekset e kontratave profesionale, të cilat rregullonin ndarjen e tarifave për transferimin mes tij dhe Dinamos së Zagrebit.
Sipas aktakuzës, Modric ka dëshmuar në mënyrë të rreme se ka nënshkruar lidhjet e lartpërmendura sa herë që ka vazhduar kontratën e tij profesionale dhe i ka ri-nënshkruar pas largimit nga klubi kroat. Prokuroria thotë se kjo nuk përputhet me të vërtetën, pasi ai ka nënshkruar kontratën e sipërpërmendur kur tashmë ishte larguar nga klubi fillestar.
- Advertisement -
Në përfundim të gjykimit mbërritën edhe dënimet për katër të pandehurit. Më i rëndë ishte dënimi për shefin e Dinamos së Zagrebit, Zdravko Mamic, me 6 vite e gjysmë burg për vjedhjen e paligjshme të 15.5 milionë eurove nga klubi.
Sërish, sipas prokurorisë, dëshmia e Modric dhe Lovren do të kishte favorizuar Mamic, i cili iku në Bosnje-Hercegovinë para dënimit, ku jeton aktualisht. Sipas kodit penal kroat, krimi i dëshmisë së rreme dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vite.