Skena jo të hijshme u regjistruan në fund të ndeshjes së Superligës të Zvicrës mes Bazelit dhe Zyrihut, që u zhvillua më 7 maj. Episodi kryesor i asaj skene ishte në minutën e 12-të të kohës shtesë. Kapiteni i Baselit, Taulant Xhaka, u ndëshkua direkt me karton të kuq pasi e goditi me kokë në trup mbrojtësin kundërshtar, Nikola Katiç.
Më vonë, 32-vjeçari shqiptar për këtë veprim mori një dënim të rëndë, duke u pezulluar për tetë ndeshje.
Deri më tani, Xhaka i ka vuajtur katër ndeshje prej këtij pezullimi, ndërsa për incidentin e muajit të shkuar ka folur për herë të parë nga kampi stërvitor i Baselit, që po mbahet në Sifeld të Austrisë.
Xhaka ka pranuar se nuk është dashur të reagojë në atë mënyrë, por shton se humbi kontrollin pasi kundërshtari e ofendoi.
- Advertisement -
“E humba kontrollin. Kjo gjë nuk duhet të më ndodh mua. Me vjen shumë keq”, tha fillimisht mesfushori shqiptar.
Xhaka ka thënë se ishte provokuar disa herë gjatë ndeshjes nga mbrojtësi Katiç dhe ka arritur të përmbahet deri në momentin kur shpërtheu.
Mesfushori shqiptar ka zbuluar se Katiç e ka fyer edhe familjen e tij, saktësisht gruan dhe fëmijët. Ai thotë se është dashur ta injorojë Katiçin, por nuk mundi.
“Në fillim isha në gjendje ta kontrolloj veten, por pasi mora fillimisht kartonin e verdhë që u shndërrua në të kuq, ai mbuloi gojën me fanellë dhe fyeu gruan dhe fëmijët e mi. Kjo bëri që ta humb kontrollin dhe të reagoj në atë mënyrë. Ajo që dëgjova prej tij në atë ndeshje mund të them se kurrë nuk e kam përjetuar në karrierën time”, u shpreh Xhaka.