Prioritet i merkatos së kësaj vere për Bayern Munich është një qendërsulmues, pozicion i cili ka mbetur i pakonsoliduar që prej largimit të Robert Lewandowskit drejt Barcelonës, një vit më parë.
Marrja e Sadio Mane verën e kaluar nuk rezultoi ashtu sikurse pritej, afrikani nuk ka pasur produktin e kërkuar, ndaj gjigantët bavarezë po kërkojnë një tjetër bomber, që e kanë evidentuar sërish në Premier League.
Më konkretisht, kampionët e shumëfishtë të Gjermanisë janë gati “të vënë bast” me vendosmëri për sulmuesin anglez të Tottenham, Harry Kane. Siç raportohet nga shtypi britanik, Bayern Munich ka nisur tashmë ofensivën për të siguruar shërbimet e sulmuesit 29-vjeçar, nën kontratë me “Spurs”.
Kane është objektivi kryesor i bavarezëve, për t’i dhënë peshë dhe cilësi repartit të tyre sulmues. Siç raporton “The Athletic”, klubi kampion gjerman iu ka dërguar tashmë një ofertë të parë zyrtare “Spurs” për Kane: 70 milionë euro, plus 10 milionë të tjera bonuse. Pra, sapo ka nisur faza e nxehtë e negociatave në aksin Bayern-Tottenham.