Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Përbashkët, Josep Borrell, paralajmëroi mundësinë e masave të reja nëse nuk arrihet marrëveshja për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se shtetet anëtare të BE-së në ditët në vijim do të nisin shqyrtimin e masave tjera në rast se nuk shpallen zgjedhjet.
“Ne ramë dakord që nuk mund të kemi përgjithmonë kryetar komunash në zyra që mbrohen nga trupat e NATO-së me një rezultat prej 2 ose 3 përqind. Kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme. Pra, nëse kjo nuk është e qëndrueshme, duhet të zëvendësohet me një zgjidhje tjetër. Dhe zgjidhja tjetër mund të vjen vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, ka porositur Borell, duke nënvizuar se në këtë drejtim duhet të angazhohen të dyja palët meqë zgjedhjet e ardhshme duhet të sigurojnë pjesëmarrjen e serbëve sepse siç ka thënë “përndryshe do të kemi të njëjtën situatë sikur sot”.
Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borell ka raportuar para ministrave të jashtëm të BE-së në lidhje me tensionet në veri dhe takimin e krizave me kryeministrin Kurti dhe presidentin serb, Vuçiq, që u mbajt më 22 qershor. Ai shtoi se në këtë takim palëve iu është prezantuar një “zgjidhje e balancuar për daljen nga kriza, por se fatkeqësisht nuk kishte rezultat”. Ai gjithashtu përshëndeti lirimin e tre policëve kosovarë që mbaheshin në Serbi nga 14 qershori, kur u rrëmbyen nga ana e forcave serbe.