Armando Broja ka qenë mungesa e madhe e Shqipërisë në tre sfidat e para në kualifikueset “Euro2024”. “Bomberi” kuqezi pësoi një dëmtim të rëndë në gju, por tashmë është rikthyer në fushë, i gatshëm për të bindur trajnerin Pochettino. Dëshira e Brojës ka qenë dhe mbetet e njëjtë, të bëj vend te Chelsea, klub ku është rritur, me të cilin ka një kontratë deri në qershor 2028. Pavarësisht këtij fakti, emri i Brojës mbetet fiks në tregun e transferimeve. Sulmuesi kërkohet jo vetëm në Premier League, por dhe në Serie A.
“Tuttosport” shkruan se Broja është një objektiv i Milanit në këtë merkato vere. Në fakt, Broja është një emër që lidhet në mënyrë konstante me një kalim në “San Siro”, “djalli” u përpoq ta joshte edhe gjatë verës së shkuar pasi kishte mbyllur një sezon fantastik me Southampton. Milan nuk e ka luksin të investojë minimumi 30 milionë euro për të blerë kartonin e Brojës, por opsioni për ta transferuar në formë huazimi duket ideali për të dy klubet, gjithnjë nëse Pochettino nuk bindet gjatë fazës përgatitore. Kujtojmë që sezonin e shkuar, përpara se të dëmtohej në dhjetor, Broja u aktivizua në 466 minuta në total, një gol dhe një asisit.