Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, deklaroi se shumë shpejt, tre policët e Kosovës të kidnapuar nga Njësia Speciale e Policisë së Serbisë, do të mund të vizitohen nga familjarët e tyre.
Duke u mbështetur në kontaktet me avokatët e të kidnapuarve, ministrja tha se ka mundësi që familjarët të mund t’i vizitojnë ata këtë të premte, ndonëse u shpreh se kjo mbetet të shihet.
Duke folur për vizitën e një përfaqësuesi të Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, i cili u takua me gjashtë të arrestuarit serbë për sulmet në veri, ministrja e konfirmoi se ata janë edhe nënshtetas të Serbisë.
“Kështu që iu takon dhe ne u përmbahemi konventave ndërkombëtare dhe në raste të tilla u takon një vizitë”, tha Gërvalla, duke sqaruar se në anën tjetër, vizita e shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, tek tre policët e kidnapuar, është realizuar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.
- Advertisement -
“Por të ishte në vullnetin e Beogradit, as kjo vizitë s’do të mund të realizohej”, tha ajo.
Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, ministrja Gërvalla foli edhe për paralajmërimin e partnerëve ndërkombëtarë se nuk do ta ndihmojnë Kosovën, sa i përket njohjeve të reja.
“Jemi përpjekur me të gjitha mënyrat tona, dhe do të vazhdojmë me këmbëngulje së bashku me partnerët tanë për të gjetur rrugët për të realizuar njohje të reja”, tha ajo.
“Edhe ashtu s’ka pasur ndonjë entuziazëm se kushedi se çka, dhe nuk është habi që ky entuziazëm nuk do të jetë prezent as gjatë debateve dhe diskutimeve që i kemi gjatë këtyre ditëve”.
“Ne nuk ndalemi në atë drejtim”, tha Gërvalla.