Avokati Çedomir Stojkoviq tha se ky rast është tipit politik edhe në kuptimin bazave ligjore sepse Serbia e Kosova, kanë nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe në bazë të saj, Serbia ka njohur Policinë e Kosovës si subjekt ligjor.
Tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës, Gjykata në Kralevë të Serbisë ua ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh. Ata dyshohen për veprat penale të posedimit e trafikimit të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese.
“Me këtë, të gjitha armët e Policisë së Kosovës janë të ligjshme dhe me këtë Serbia ka detyrim të ketë vullnetin e mirë ndaj Policëve të Kosovës që të mos arrestohen, por vetëm të paralajmërohen nëse janë duke kaluar në territorin e Serbisë”, tha avokati, duke shtuar se në këtë rast, detyrimi i Serbisë është vetëm të bëjë vërejtje ose paralajmërim.
“Pra të paralajmërohen se janë duke e kaluar kufirin dhe të kthehen prapa”, tha avokati nga Beogradi, në emisionin “Lajmet e Fundit” në RTK.
- Advertisement -
Ai më tej sqaroi e nëse analizohet deklarata e presidentit të Serbisë, në dy ditët e fundit, mund të shihet se ky është vetëm një rast tipik politik sepse Aleksandar Vuçiq ka thënë gënjeshtra në të gjitha media.
“Ai ka thënë se policët e Kosovës kanë qenë me pajisje të plota luftarake e kjo është gënjeshtër dhe po ashtu ai ka thënë se ka dyshime se këta zyrtarë policorë kanë hyrë në territorin e Serbisë për të vrarë dikë e për të bërë një lloj ekzekutimi. E kjo është gjuhë e urrejtjes”, u shpreh avokati Stojkoviq.
Ai më tej tha se ky paraburgim është përdorur nga presidenti i Serbisë, thjesht për të shprehur një gjuhë të urrejtjes dhe të mbajë fjalim politik.
I pyetur se nëse në bazë të nenit 110 të Kodit Penal të Serbisë, presidenti i Serbisë mund t’i lirojë policët e Kosovës menjëherë, por nëse këtë rast ai është duke përdorur që të fitojë poenë politik brenda opinionit në Serbi apo faktorit ndërkombëtar, avokati nga Beogradi tha se duhet të jetë e qartë se Aleksandar Vuçiq është bërë politikan në vitet e 90-ta dhe ka përdorur gjuhën e urrejtjes si armë politike.
“Pa marrë parasysh se çfarë pasojash mund të krijojë kjo gjuhë, kjo është mënyra se si Aleksandar Vuçiq sundon në politikë”, tha avokati Stojkoviq.
- Advertisement -
Ai më tej u shpreh se Vuçiq ka dashur që të përdorë këtë situatë në dy mënyra. E para të zhvendos vëmendjen në Beograd nga protestat e mëdha që po mbahen në Beograd, tek Kosova.
“E të thotë se ne serbët jemi të rrezikuar nga shqiptarët e Kosovës, e që nuk është e vërtetë”, tha ai.
Ndërkohë që mënyra e dytë, avokati tha se këtë rast do të përdorë sigurisht në betejën e tij politike ndaj Kosovës dhe për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare se sa të këqij janë Policia e Kosovës.
- Advertisement -
“Unë e shoh këtë edhe si shkelje të marrëveshjes së Brukselit sepse Serbia e ka njohur Kosovën si entitet ligjor dhe e shoh gjithashtu dhe si shkelje të marrëveshjes së Kumanovës sepse në zonën e mbrojtjes, 5 Km nga ana e Serbisë, vetëm policia lokale mund të qëndrojë, por siç e pamë kjo nuk është ashtu”, tha avokati, duke shtuar se ishin Njësitet Anti-Terror ato që kanë kryer këtë arrestim.
“Njësitet Anti-Terror thjesht nuk janë polici lokale”.