Përkundër krizës dhe telasheve të shumta financiare nëpër të cilën po kalon, Prishtina e ka mbyllur me trofe sezonin futbollistik 2022/23.
Bardhekaltërit e kanë mposhtur Gjilanin me rezultat 2-0 në finalen e Kupës së Kosovës të zhvilluar në stadiumin “Fadil Volrri” duke e rrëmbyer kështu trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin kosovar.
Në pjesën e parë të dy skuadrat shfaqën lojë të dobët, pa krijuar ndonjë rast shënimi dhe si rezultat skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë (0-0).
Në pjesën e dytë Prishtina mori kontrollin e lojës, ndërsa kaluan në epërsi në minutën e 67’ me golin e Genc Hamitit pas një kundërsulmi të shpejtë.
- Advertisement -
Vetëm 10 minuta më vonë, ishte mesfushori Mërgim Pefqeli që ia dha Gjilanit goditjen fatale duke shënuar një supergol për 2-0.
Dy minuta para përfundimit të ndeshjes, Gjilani shënoi gol me anë të Mevlan Zekës, por që goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Kjo është hera e tetë që Prishtina e fiton Kupën e Kosovës në futboll.