Sevilla është fituese e Europa League për këtë sezon. Sfida ndaj Romës në Puskas Arena përfundoi 1-1, ndërsa triumfi erdhi vetëm pas penalltive.
Rasti i parë i rrezikshëm i takoi italianëve. Ishte Spinazzola që pati një mundësi ideale me një penallti në lëvizje, por gjuajtja e tij u ndal nga Bono.
Skuadra e Mourinhos feston në minutën e 35-të. Dybala zhbllokoi ndeshjen me një të majtë vrasëse, duke dërguar sferën pas shpinës së portierit kundërshtar. Në fillimin e pjesës së dytë, spanjollët ishin vërtetë me fat, pasi Mancini realizoi autogol. Në minutën e 77-të, të besuarit e Mendilibar J. L. fituan penallti pas një ndërhyrje të ashpër në zonë të Ibanez, por u anulua me VAR.
- Advertisement -
Në minutën e 83-të, protestat janë te Roma, pasi verdhekuqtë pretentojnë për 11-metërsh për shkak të një prekje me dorë. Loja vazhdoi sërish, me kryesorin Taylor që e pa të arsyeshme të vendoste kështu.
As shtesa nuk prodhoi gola, teksa nga pika e bardhë më e saktë u tregua skuadra nga Sevillia. Ky është trofeu i shtatë i Europa League për Sevillian.