Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.
Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës u tha se Albin Kurti nuk i duhet më Kosovës për shkak të sjelljeve me ndërkombëtarët.
Pas këtyre deklaratave të opozitës, nuk ka vonuar përgjigja nga subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje.Deputeti i kësaj partie, Mirsad Shkreta, tha për “Gazeta Blic” se veprimet e Qeverisë, janë të drejta dhe të duhurat. Ai tha se opozita do të duhej të ishte më konstruktive në lidhje me vendimin e fundit për veriun.“Ato janë çështje të opozitës dhe duhet t’i pyesni ata mirëpo ne jemi të bindur dhe besojmë që veprimet tona janë të drejta dhe të duhurat. Konsideroj që opozita me këtë vendim të Qeverisë do të duhej të ishte më konstruktive mirëpo është në fushën e tyre të veprojnë siç ata e konsiderojnë se është e drejtë”.
“Sa i përket situatës së fundit në Veri, besoj që kryeministri dje e ka patur një prononcim për mediat edhe i është drejtuar gjithë popullit.Aksionet tona në veri kanë qenë kundërpërgjigje ndaj bandave kriminale të cilat janë atje në funksion të ruajtjes së sovranitetit të shtetit” tha Shkreta për “Gazeta Blic”.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së kryesisë tha se Albin Kurti duhet të largohet nga qeverisja pasi paraqet rrezik për vendin. Ai tha se zgjidhja e vetme për këtë është nisja e mocionit të mosbesimit për Qeverinë Kurti, ngase ai ka shkuar në ekstrem. Sipas tij, kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunoj me ShBA, ka nxitur një konflikt në veri që i konvenon Serbisë dhe Rusisë.“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për Kryeministrin Kurti. Mocioni bazohet në dy zhvillimet e fundit, i pari është rrezikimi i sovranitet dhe i sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me ShBA dhe BE. Do të fillojmë diskutimet me spektrin politik me shoqërinë në përgjithësi. Besoj që mocioni është zgjidhje për këtë situata të krijuar. Kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunoj me ShBA, ka bërë një plan të vetin, nuk ka bashkëpunuar me Amerikën po ka nxit një konflikt në veri që i konvenon Serbisë dhe Rusisë”.
“Ajo që e bënë këtë situatë shumë të keqe është pafytyrësia e Kurtit që në emër të Kosovës t’i drejtohet përmes mediave sekretarit amerikan. Kurti ka shkuar në ekstrem me garantin tonë të sigurisë. Jemi falënderues Policisë së Kosovës. Kemi filluar komunikimin e ndërsjellët me grupet parlamentare. Nuk besoj që është çështje pozitë opozitë”.