Kryeministri Albin Kurti, gjatë intervistës në CNN, u pyet edhe për marrëveshjen e vitit 2013 mes Kosovës e Serbisë, në lidhje me formimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
I pyetur se përse një gjë e tillë nuk po ndodhë edhe tani pas dhjetë vjetësh, Kurti tha se Kosova ka një marrëveshje me Serbinë tani e cila quhet ‘Marrëveshja Bazike’.
Ai tha se Presidenti i Serbisë dhe vetë ai, në praninë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Borrell dhe emisarit të posaçëm për dialogun, Lajçak, janë dakorduar për tekstin që ka 11 nene, 6 pika në preambulë.
“Kemi marrëveshje”, tha Kurti. Ai tha se pjesë e marrëveshjes është edhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë, nga paraardhësit e tij në këtë detyrë.
- Advertisement -
“Janë 39 të gjitha bashkë prej të cilave dy, ndërlidhen me Asociacionin, të cilat megjithatë, nuk kanë kaluar testin nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, tha kryeministri Kurti në këtë intervistë prej tetë minutash.
Ai tha se dëshiron që komuniteti serb të ketë vetëmenaxhim ashtu siç parashikohet në pikën shtatë të “Marrëveshjes Bazike”. Kryeministri tha se nuk po neglizhon dhe nuk i mohon marrëveshjet e dakorduara më parë por kjo nuk është e vetmja.
“Ne kemi nevojë për një plan për rrugë zbatimi për tërë marrëveshjen e arritur në shkurt të këtij viti”.
I pyetur se përse serbët i kanë bojkotuar zgjedhjet dhe se përse ata ndjehen të mos përfaqësuar, Kurti tha se komuniteti serb në Kosovë përbën 4 % të popullatës.
“93% janë shqiptarë dhe pjesa tjetër prej 3% janë minoritete të tjera si romë, boshnjakë, turq, egjiptianë e goranë”, tha Kurti, duke shtuar se “ne duam të jetojmë në një shoqëri shumë etnike”.
- Advertisement -
Megjithatë, ai rikujtoi se nuk mund të ketë një minoritet të privilegjuar sepse Beogradi vazhdon të vajtojë humbjen e Kosovës në vitin 1999, kur NATO intervenoi për të ndaluar gjenocidin e regjimit të Millosheviqit.
“Kosova është një tregim suksesi nga intervenimi i NATO-s. Kjo është ajo që i shqetëson të dyja, Beogradin dhe Kremlinin”.