Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ruajë neutralitetin rreth situatës në veri dhe të mbështesë Republikën e Kosovës që të vendosë sundimin e ligjit dhe të kushtetutës në të gjithë territorin e saj. Po ashtu KASH kërkon nga ndërkombëtarët që të dënojnë veprimet e Serbisë ndaj institucioneve të Kosovës.
Ky reagim i ambasadorëve shqiptar ka ardhur pas situatës në veriun e Kosovës.
“Kemi shprehur shqetësimin lidhur me paqëndrueshmërinë dhe sigurinë në komunat me shumicë serbe, si rrjedhojë e aktivitetit destabilizues e kriminal të strukturave parapolitike e paraushtarake paralele që veprojnë në këto komuna, të mbështetura nga Beogradi nëpërmjet agjencive të inteligjencës serbe, që po konfirmojnë dita ditës se janë proxy të shërbimeve sekrete ruse”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KASH.
Në lidhje me zhvillimet e fundit, ambasadorët ritheksojmë se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe integriteti i saj territorial është i pacënueshëm.
- Advertisement -
“Zbatimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve demokratike e ka shndërruar Republikën e Kosovës në një shembull demokracie për të gjithë rajonin dhe në një kontributore të pazëvendësueshme të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon e më gjerë. Zbatimi i ligjit në të tërë territorin e Kosovës është bazë themelore për funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë”, konsideron KASH.
Ambasadorët shqiptarë vlerësojnë lartë profesionalizmin e strukturave të sigurisë së Republikës së Kosovës në qetësimin e situatës dhe jetësimin e hapave dhe vendimmarrjeve demokratike.
“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen se qëndrueshmëria dhe zbatueshmëria e veprimeve më se të justifikuara të qeverisë së Republikës së Kosovës në drejtim të qetësimit të situatës ne veriun e vendit do të jenë të plota e efiçiente në se qeveria do të vijojë të jetë e angazhuar në një konsultim dhe koordinim të pandërprerë me miqtë e saj, me BE dhe SHBA”, thuhet në fund të reagimit të KASH-it.