Protestuesit në Zubin Potok kanë filluar provokimet në drejtim të Policisë së Kosovës në forma të ndryshme, raporton gazetarja e RTK-së, Valjeta Shala, e cila po i përcjell zhvillimet e fundit në këtë komunë.
Më herët ajo ka raportuar se protestuesit kanë vendosur flamuj të Serbisë përreth objektit të Komunës së Zubin Potokut, teksa flamuri i Republikës së Kosovës vazhdon të valëvitet në ballë të ndërtesës.
Situatë e qetë në veri, protestuesit mblidhen para komunave
Mëngjesi i së martës duket i qetë në tri komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Ndonëse edhe për sot janë paralajmëruar protesta në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, tash për tash situata duket e qetë, me trupat e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës që janë të vendosura para objekteve të këtyre tri komunave.
Gazetarja e RTK-së, Edona Podvorica raporton nga vendi i ngjarjes se tashmë një numër i madh i qytetarëve serbë janë mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit, por se situata është e qetë. Ajo ka bërë të ditur se në mesin e të pranishmëve janë edhe drejtuesit e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.
- Advertisement -
Ndërkaq, gazetarja Valjeta Shala, e cila ndodhet në Zubin Potok, njofton se edhe atje është mbledhur një numër i madh i protestuesve por situata duket e qetë.
Ajo ka bërë të ditur se protestuesit në Zubin Potok kanë vendosur flamujt e Serbisë në pjesë të ndryshme në oborrin e komunës, teksa në ballë të objektit të komunës qëndron ende ai i Republikës së Kosovës.