Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar sot pas akuzave dhe polemikave të shumta të shkaktuara nga ndeshjet e fundit të kampionatit të Superligës, përkatësisht dueleve Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça’89-Prishtina.
Fillimisht në reagimin e saj, FFK-ja ka theksuar se edicioni i fundit u vlerësua si njëri ndër më të mirët pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA nga njohësit e futbollit, duke sjellë interes dhe kualitet të lartë, teksa më pas është përqendruar në dy ndeshjet e shumëpërfolura.
“Pas përfundimit të këtyre ndeshjeve, organet përkatëse të FFK-së, në përputhje me rregulloret e brendshme dhe aktet normative të UEFA-së, kanë ndërmarrë masat e duhura dhe kanë filluar procesin e mbledhjes së deklaratave dhe dëshmive nga të gjithë zyrtarët e këtyre ndeshjeve për t’i adresuar dhe shqyrtuar ato me seriozitet maksimal”, thuhet në reagimin e shtëpisë së futbollit kosovar.
Tutje në reagimin e saj, FFK-ja ka theksuar se është e vendosur për të ruajtur imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës, pas investimeve të bëra për një garë sa më “fair-play”.
- Advertisement -
“FFK reagon me ashpërsi ndaj çdolloj njollosje që i bëhet me deklarata të ngutshme dhe akuzuese, derisa është e vendosur për të ruajtur imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës, pas të gjitha investimeve që ka bërë për një garë sa më ‘fair-play’. FFK nuk do të lejojë që individë, grupe apo kushdo tjerë të prishin imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës”, thuhet tutje në reagim.
Federata është shprehur e hapur për bashkëpunim me organet e Republikës së Kosovës dhe i ka inkurajuar ato për hetim të detajuar rreth pretendimeve për parregullsi në kampionat.
“Tashmë, FFK-ja i ka informuar organet relevante të Republikës së Kosovës dhe u ka ofruar bashkëpunim në adresimin e mëtejmë të kësaj çështje. Federata, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport, e nëpërmjet tij edhe me Prokurorinë e Shtetit, do të angazhohet maksimalisht për hetimin e të gjitha pretendimeve për kurdisje të ndeshjeve dhe prishje të “fair-play”. Çdo pretendim që vërtetohet do të ndëshkohet me ashpërsi në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret përkatëse”, ka theksuar tutje FFK në komunikatë.
FFK-ja tutje ka shpreh përkushtimin maksimal të saj për të mbrojtur integritetin e garave dhe imazhin e futbollit të Kosovës.
“Në këtë kontekst, Federata fton të gjithë protagonistët e futbollit, si zyrtarët, lojtarët, trajnerët, tifozët dhe mediat, që të angazhohen në promovimin e vlerave sportive dhe respektimin e rregullave të lojës. Vetëm duke vepruar në përputhje me parimet e “fair-play”, futbolli ynë mund të vazhdojë të rritet dhe të jetë sporti më i popullarizuar në vend, prandaj duhet të punojmë të gjithë së bashku që dukuritë e këqija të mos zënë vend në futbollin tonë”, thuhet në fund të reagimit.
E lidhur me dyshimet për kurdisjen e këtyre dy ndeshjeve ka reaguar edhe Këshilli për Sport, i cili kryesohet nga u.d. kryeprokurori i shtetit, Besim Kelmendi.
- Advertisement -
“Këshilli për Sport e njofton opinionin publik se çështjet në fjalë i ka trajtuar me urgjencë, dhe dyshimet për kurdisje të rezultatit në dy ndeshjet e sipërshënuara të futbollit janë adresuar menjëherë tek prokuroritë kompetente për verifikimet dhe hetimet e nevojshme”, thuhet tutje në njoftim të këtij Këshilli.