Edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ashtu sikurse edhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka bërë kërkesë zyrtare në KOSTT dhe ZRRE për kyçje të institucioneve publike të kësaj komune në rrjetin energjetik dhe pagesën e rrymës.
“Ju drejtohem si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut lidhur me kyçjen dhe pagesën e energjisë elektrike për të gjitha institucionet e sektorit publik të cilat bien nën kompetencën e nivelit lokal”, shkruan në kërkesën e Hetemit drejtuar KOSTT-it.
“Kërkoj prej jush që të filloni sa më parë të ndërmerrni veprimet e nevojshme për kyçjen e të gjitha këtyre institucioneve në mënyrë që komuna të mund të fillojë pagesën e energjisë së konsumuar”, ka shkruar Hetemi.
Ai gjithashtu ka kërkuar nga këto dy institucione që ta njoftojnë mbi borxhin që duhet paguar institucioneve të Republikës së Kosovës për rrymën e papaguar nga komuna që ai tashmë e drejton.
- Advertisement -
” Gjithashtu na informoni për mënyrën e realizimit të pagesës dhe çfarëdo informate relevante që duhet të kemi sa i përket raportit kontraktual në lidhje me furnizimin me energji elektrike”, ka shkruar Hetemi.
Ka 23 vjet që serbët në veri të Kosovës nuk paguajnë për energjinë elektrike që shpenzojnë, ujin dhe detyrimet e tjera komunale. Pagesa bëhet nga Qeveria e Kosovës, ndonëse qytetarët serbë të pjesës veriore, nuk e paguajnë asnjë taksë.