Interi siguroi finalen e Ligës së Kampionëve të edicionit 2022-2023, për herë të parë pas 13 vitesh, që e bënte këtë gjë për herë të fundit. Asokohe ishte sezoni i tripletës historike, e fituar nga zikaltrit me Jose Mourinhon në stol, ndërsa këtë herë ia kanë dalë me Simone Inzaghi në “timon”.
Dihet mirë se Interi ka shumë tifozë në Shqipëri, si kudo në botë, të cilët janë të lumtur. Madje, ndonjë prej tyre do të bëjë çmos për të shkuar në Stamboll dhe ndjekur finalen e madhe më 10 qershor. Aty do të kemi një përfaqësues nga vendi ynë, pjesë edhe e kombëtares kuqezi, Kristjan Asllani.
Pavarësisht se nuk luajti fare në euro-derbin e dyfishtë gjysmëfinal, 22-vjeçari shqiptar është pjesë e këtij suksesi të zikaltërve. Ai ka festuar me bashkëlojtar njësoj, pa asnjë hatërmbetje, edhe pse trajneri Inzaghi nuk po ia jep minutat aktivizim që meriton, sipas tifozëve të Interit dhe mediave italiane.
Megjithatë, ai e ka të ardhmen përpara, vijon të punojë fort, njeh hierarkitë në skuadër, teksa në rolin e tij luajnë dy emra si Calhanoglu dhe Brozovic. Kristjan Asllani është shprehur i lumtur për kalimin në finale të Ligës së Kampionëve.
- Advertisement -
Para gazetarit Arlind Sadiku nga Kosova, i pranishëm mbrëmë në “San Siro”, në mikrofonat e “Artmotion, mesfushori zikaltër u shpreh: “Ishte një ndeshje e vështirë për ne. Jam tifoz interist, t’i dëgjoj këta tifozë duke kënduar është kënaqësi e madhe.
Është viti im i parë me këto lojtarë fantastikë. Arritëm një objektiv të madh, Interi nuk shkonte në finalen e Ligës së Kampionëve qysh prej vitit 2010. Kemi bërë një gjë fantastike. Vërtet nuk luajta vetë në dy derbet, por mos harroni se kam përpara lojtarë shumë të fortë në rolin tim.
E kam fjalën për Calhanoglu dhe Brozovic, që janë legjenda për mua. Po ndihmoj shumë me paraqitjet e mia, kjo është ëndërr për mua, të dëgjoj tifozët zikaltër të brohorasin të lumtur. Me Milanin kemi shumë rivalitet, por ia dolëm”.
Kujtojmë se Interi u kualifikua në finale, pasi e mposhti Milanin me rezultat të përgjithshëm 3-0, në të dy ndeshjet gjysmëfinale.