Menjëherë pasi xhudistja kosovare, Distria Krasniqi u ngrit në vendin e parë në renditjen botërore të kategorisë së deri në 52 kilogramë nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai në rrjetin social Twitter, ka uruar Distrinë, duke shkruar se Kosova është krenare për këtë sukses.
“Urime Distria Krasniqit për renditjen 1, sipas Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (kategoria deri në 52 kg). Gratë që konkurrojnë në xhudo e kanë nderuar vendin me medaljen e parë të artë olimpike dhe vazhdojnë të sfidojnë shanset si atletë lider në botë. Kosova është krenare!”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Ndryshe, deri më tani pozitën e parë në renditjen botërore të kategorisë së deri në 52 kilogramë e ka mbajtur britanikja Chelsie Giles, por në renditjen e re të publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, Distria mban pozitën e parë me 7275 pikë, ndërsa Giles është e dyta me 7010 pikë.
Kjo arritje për Distria Krasniqin vjen pasi në Botëror ajo u rendit e pesta, duke fituar 720 pikë të reja në renditjen botërore.