Organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” do të ishte moment ku Kosova do të demonstronte potencialin për të bërë punë të mëdha, sipas kryeministrit Albin Kurti.
Nën drejtimin e Kurtit, pjesëtarë të kabineti qeveritar zhvilluan sot një takim koordinues, në lidhje me kandidaturën e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare, Prishtina 2030, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
“Aty u diskutua për rëndësinë dhe ndikimin pozitiv që do ta kishte për vendin tonë përzgjedhja e mundshme si vend mikpritës i Lojërave Mesdhetare, që njëherit do të përbënte një moment historik për ne duke u bërë për herë të parë nikoqir të një ngjarjeje ndërkombëtare të kësaj përmase. Ky është një moment i rëndësishëm për ne si shtet, por edhe për ne si qeveri për të demonstruar potencialin tonë për të bërë punë të mëdha, tha Kryeministri. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku theksoi se ndikimi i këtij organizimi shkon përtej sportit, dhe duhet të konsiderohet si platformë e cila përfshin planet zhvillimore të të gjitha sektorëve tjera relevante me organizimin e lojërave. Ndërkaq, Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani ndau me të pranishmit informacionet me të reja në lidhje me procesin e aplikimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare, teksa u thekua nevoja dhe rëndësia e bashkëpunimit dhe mbështetjes ndërinstitucionale në përgatitjen dhe finalizimin e aplikimit zyrtar dhe të integruar. Lojërat 2030, shënon edicionin e 21-të të kësaj ngjarjeje multi-sportive e cila i bën bashkë sportistët dhe qytetarët e 26 shteteve të tri kontinenteve të cilët preken nga ujërat e Mesdheut. Kosova kishte shpallur zyrtarisht kandidaturën për organizimin e këtyre lojërave në fillim të muajit prill, gjatë një konference të përbashkët të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendësministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi”, ka njoftuar ZKM.