Një rikthim i bujshëm në fushë, ai i Christian Eriksen, pas asaj që ndodhi me të dramatikisht në ndeshjen e “Euro 2020” mes Finlandës dhe Danimarkës, luajtur në qershor 2021. Mesfushori, në atë kohë tek Interi, u rrëzua në fushë pa ndjenja, “viktimë” e një arresti kardiak.
Atë ditë, nëse stafi mjekësor dhe shokët e skuadrës nuk do të kishin ndërhyrë menjëherë, Eriksen do të kishte rrezikuar seriozisht jetën e tij. Danezi foli për këtë përvojë që tmerroi mbarë botën në “Laureus Sports Awards” në Paris, ku fitoi çmimin për rikthimin e vitit.
Me këtë rast u transmetua videoja e kthimit të tij, ku përfshiheshin edhe pamjet e arrestit kardiak në fushë, transporti me barelë dhe fytyrat e shokuara të shokëve të skuadrës. Eriksen para imazheve të tilla tronditëse komentoi:
“E pashë videon pothuajse të nesërmen e asaj që më ndodhi në fushë. E bëra këtë vetëm për të parë me të vërtetë se çfarë kishte ndodhur dhe për të kapërcyer të gjitha emocionet, për t’u përgatitur për më vonë”.
- Advertisement -
Pas ngjarjes dramatike, Eriksen u pajis me një defibrilator për të kontrolluar rrahjet e zemrës. Në atë periudhë ishte vërtet e vështirë të hipotezoje rikthimin e tij në fushë. Sigurisht jo në Itali, ku pas tragjedisë së Morosinit, rregullat për problemet e zemrës janë shumë të rrepta.
Dhe për këtë arsye, në pamundësi për të vazhduar aventurën e tij me Interin, fillimisht mbërriti transferimi te Brentford dhe më pas, verën e kaluar, te Manchester United. “Isha me fat”, – komentoi Eriksen, që iu afrua vdekjes, por u kthye në jetë.