Ekipi Menaxhues që përpiloi draft statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe u lirua nga detyra nga ministri Elbert Krasniqi, një ditë pasi ai prezantoi në takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel draft statutin.
Më pas, nga kryeministri Albin Kurti u tha se atij i kishte përfunduar misioni që kishte.
Por, derisa nuk ka më një Ekip Menaxhues dhe draft statuti i propozuar prej atij është cilësuar fundamentalisht i papranueshëm nga Kurti, çfarë do të ndodhë më tutje, a do të formohet një Ekip i ri i tillë?
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se ekipi ka pasur karakter teknik dhe tani procesi është në nivel politik.
- Advertisement -
Ai thotë se Kosova nuk ka mundur dhe nuk mund të rrugëtojë bashkë me të, derisa propozimi i tij ka qenë i papranueshëm.
“Ekipi menaxhues ka pasur karakter teknik, ndërkaq që tashmë procesi është në nivel politik. Ai është liruar nga detyra, meqenëse nuk ka më asnjë funksion. Propozimi i tyre për ne ka qenë fundamentalisht i papranueshëm. Si rezultat ne nuk kemi mundur dhe nuk mund të rrugëtojmë bashkë me ta drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjet Bazike, i cila duhet të jetë synimi kryesor”, potencon Kryeziu.
Zëdhënësi i Qeverisë thotë se kryeministri Kurti në takimin e fundit në Bruksel ka paraqitur si propozim për Asociacionin modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare, që thotë se është dhe model i pranuar në të kaluarën nga Serbia.
Sipas tij, kjo është referencë e duhur në rrugën përpara në raport me Serbinë.
“Kryeministri Kurti ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazike. Ne besojmë që propozimi i ynë mundëson që të ndërtojmë diçka të re, të drejtë dhe të dobishme për të gjithë. Ai bazohet në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare. Kroacia është shtet anëtare e BE-së dhe NATO-s. Me Kroacinë ndajmë një të kaluar të përbashkët me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërkohë që si shtet aspirojmë të jemi anëtare edhe e BE-së edhe e NATO-s. Për më tepër, një model i tillë është pranuar në të kaluarën nga Serbia. Prandaj edhe besojmë që përbën referencë të duhur për rrugën përpara në raport me Serbinë”, deklaron Përparim Kryeziu.