Sonte në “Santiago Bernabeu” në Madrid, në orën 21:00, do të zhvillohet ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve, ndërmjet Real Madridit dhe Manchester Cityt.
Një ndeshje e cila pritet të sjellë dramë dhe emocione tek shikuesit kudo në glob. Reali është kampion aktual i Evropës, ndërsa tri ditë më parë e fitoi edhe Kupën e Mbretit, pasi e mposhti Osasunën, me rezultat 2:1. Skuadra e Carlo Ancelottit zë vendin e tretë në La Liga me 68 pikë.
Në anën tjetër, Manchester City është në formë të shkëlqyeshme dhe aktualisht është në vendin e parë në tabelën e Ligës Premiere, me 82 pikë.
Reali dhe Man.City luajtën në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve edhe në sezonin e kaluar. Klubi anglez fitoi 4:3 në ndeshjen e parë, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Madrid, Real fitoi 3:1, dhe u kualifikua në finale, ku më pas mundi Liverpoolin me rezultat 1:0.
- Advertisement -
Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, ka fituar katër herë trofeun e Champions League në karrierën e tij si trajner, derisa Pep Guardiola i Manchester Cityt ka dy trofe të kësaj gare në karrierën e tij.
Ndeshja e kthimit mes Realit dhe Manchester Cityt do të luhet pas tetë ditësh në Angli.
E në duelin tjetër gjysmëfinal, që zhvillohet të mërkurën, do të përballen dy rivalët e mëdhenj të të njëjtit qytet, Milani dhe Interi.