Trepça dhe Istogu janë fituese të Kupës së Kosovës për edicionin garues 2022/23. Në konkurrencën e meshkujve, Trepça ka arritur ta kthejë trofeun në Mitrovicë pas 21 vjetësh, duke e mundur në një finale dramatike në kryeqytet, kampionen e shumëfishtë, Besa Famgas, me rezultat të ngushtë 40:39.
Kjo ndeshje dhuroi spektakël hendbolli dhe ishte tejet e barabartë që nga fillimi e deri në fund. E këtë spektakël nga afër e ndoqi edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili në fund së bashku me kryetarin e FHK-së, Eugen Saraçini e ndanë trofeun për ekipin fitues. Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, Istogu e ka fituar për herë të pestë Kupën e Kosovës, pasi në finale e ka mundur me lehtësi, Vushtrrinë, me rezultat 32:21.