Dy sopranot e njohura shqiptare, Emronela Jaho dhe Elbenita Kajtazi, kanë shënuar së fundmi të tjera arritje ndërkombëtare.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka përgëzuar Ermonela Jahon për përzgjedhjen “Artiste e vitit 2023”, i ndarë nga Classical Music Awards, ndërsa po në të njëjtën kohë ka uruar Elbenita Kajtazin për arian e saj të suksesshme në Paris të Francës.
Ky është postimi i plotë i MKRS-së:
Sukseset e radhës të dy sopranove tona
Çmimi “Artiste e vitit 2023” i ndarë nga Classical Music Awards iu delegua sopranos së shquar të operës botërore Ermonela Jaho, me arsyetimin: “Me bukurinë unike të zërit të saj madhështor, të udhëhequr me vendosmëri drejt shkëlqimit të lavdishëm, ajo mahnit me estetikën e saj të pastër vokale”.
I artë ishte edhe debutimi në Opéra-Comique në Paris i sopranos Elbenita Kajtazi. Aria e saj “Unë them se asgjë nuk më tremb”, interpretuar me ndjeshmëri të madhe dhe një zë të kthjellët me nota të larta rrezatuese, i dha asaj një duartrokitje të gjatë nga publiku. Kështu thuhet në njërën nga shumë kritikat e publikura në shtypin francez kushtuar punës, përkushtimit dhe talentit të Kajtazit.
Sukseset si këto na zgjojnë ndjenja të fuqishme krenarie.