“Nuk do të lejohet krijimi i një Republike Serbe në veri të Kosovës”. Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti për mediumin kroat ‘Hina’, në prag të rundit të ri të dialogut.
Një ditë para takimit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, në të cilin takim është paraparë të prezantohet drafti i statutit të komunave me shumicë serbe, të cilin Kurti ka njoftuar se ende nuk e ka parë.
“Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë”, ka deklaruar Kurti.
Tutje, kryeministri ka siguruar se do të përmbushet ajo që është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel. Ai ka ripërsëritur se nuk do të lejohet është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë.
- Advertisement -
“Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me esencë shkatërruese që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Këto deklarata, kryeministri i vendit i ka bërë vetëm një ditë para se në Bruksel, të takohet me presidentin Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak.