Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar që procesi i licensimit të Federatës së Futbollit të Kosovës të përmbyllet në kohën më të parë të mundshme.
Duka ka qëndruar të shtunën në Prishtinë, ku është pritur nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi, i cili i ka dhuruar atij fanellën e re të Kombëtares së Kosovës si dhe Hyjneshën në Fron.
“E shtunë e bukur sot në Prishtinë për një vizitë në Federatën e Futbollit të Kosovës ku u takova me homologun e mikun tim Agim Ademi. I shpreha mbështetjen time Presidentit Ademi dhe e garantova se do jemi gjithmonë pranë FFK-s dhe futbollit kosovar në projektet, sfidat dhe iniciativat që kanë ndërmarrë. Urojmë shumë që procesi i licensimit të FFK-së të përmbyllet në kohën më të parë të mundshme dhe të gjithë sëbashku të bashkojmë forcat e energjitë në projektet afatshkurtra dhe afatmesme të Federatës dhe Presidentit Ademi për mbylljen me sukses të garave dhe paraqitjen dinjitoze të klubeve të Kosovës në kompeticionet europiane”, është shprehur Duka. “Në të njëtën kohë i shpreha i urova shumë suksese përfaqësueses së Kosovës në dy ndeshjet e rradhës kualifikuese për Kampionatin Europian ndaj Bjellorusisë dhe Rumanisë”.