Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, vazhdon të marrë pjesë në takime e aktivitete të ndryshme të parapara sipas protokollit zyrtar.
Mes të tjerave, ajo mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rrugës “Ibrahim Rugova” në komunën e Çairit në Shkup.
Me këtë rast, presidentja Osmani-Sadriu tha se ky është një nder jo vetëm për të e familjen e presidentit Rugova, por për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Çairi do të jetë përjetë i nderuar që po e përjetëson emrin e presidenti Rugova në këtë rrugë”, tha Osmani-Sadriu, duke shtuar se kjo tabelë me këtë emër, do të jetë udhërrëfyese edhe e veprës së presidentit Rugova.
- Advertisement -
“Kjo rrugë me këtë emër, jo vetëm që do ta lidhë Çairin me pjesët tjera të këtij shteti, por do të jetë edhe motiv shtesë për qytetarët e Kosovës që ta vizitojnë”.
Presidentja tha se duke vendosur emra të mëdhenj të historisë sonë në rrugët tona, nderohet e kaluara jonë.
“Por nderojmë më shumë edhe të tashmen, duke u lënë brezave dëshmi për kontributin e burrave dhe grave tonë për liri e shtet ndërtim”.
Ajo tha se presidenti Rugova ishte ati themelues i Republikës së Kosovës. “Një nga njerëzit që dha më së shumti e kontribuoi më së shumti për pavarësinë që e gëzojmë sot”.
Sipas agjendës, presidentja Osmani-Sadriu mori pjesë në ceremoninë e dhënies së Urdhrit “Hasan Prishtina”, post mortem për Arbën Xhaferi, mbajtur në ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup.
- Advertisement -
Me këtë rast, ajo çmoi lart kontributin Xhaferit për ngritjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në tërë rajonin.