Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi tha se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar, aktive e konstruktive në procesin e dialogut ku përfitues kryesorë duhet të jenë të gjithë qytetarët.
Këto komente Bislimi i bëri në takim me zëvendësdrejtorin e Departamentit për Ballkan në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Nicolas Faye.
Në takim u diskutua mbi procesin e dialogut dhe implementimin e Marrëveshjes Bazë të normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksit të Zbatimit.
Zëvendësdrejtori Faye në takim me zëvendëskryeministrin kosovar u shoqërua dhe nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
- Advertisement -
Në fillim të takimit, Faye e uroi zëvendëskryeministrin Bislimi në arritjet e fundit për të ardhmen evropiane të Kosovës, siç është liberalizimi i vizave dhe kalimi i etapës së parë për anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, njofton Qeveria.
Zëvendëskryeministri Bislimi, ndërkaq ka falënderuar për mbështetjen e Francës për të ardhmen evropiane të Kosovës, mbështetje kjo, sipas tij, e rëndësishme duke qenë se vjen nga një partner dhe aleat kyç për vendin.
Në këtë takim është diskutuar dhe për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me theks të veçantë në zhvillimin e avancimin e bashkëpunimit zhvillimor dhe ekonomik.
“Projekte të ndryshme po fillojnë të marrin formë në mes dy vendeve tona të cilat në vijim do të mund të kalojnë në fazat implementuese. Këto projekte prekin fusha e sektorë si tranzicioni drejt energjisë së gjelbër, efiçenca e energjisë apo dhe trajtimi i ujërave të zeza”, thuhet në njoftimin për media lëshuar pas takimit.