Njohës të rrethanave politike dhe procesit të dialogut Kosovë-Serbi, kanë mendime të ndryshme në lidhje me reflektimin që mund të kenë zgjedhjet lokale në veri, në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Disa nga ta mendojnë se këto dy procese janë të ndara, por ka të atillë që mendojnë se zgjedhjet do ta dinamizojnë gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e Asociacionit.
Zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës shënojnë një momentum të ri, thotë analisti politik, Artan Muhaxhiri. Sipas tij, situata e re e krijuar padyshim se do të ndikojë edhe në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Këto zgjedhje do ta dinamizojnë të menduarit për atë pjesë për ta gjetur një zgjidhje më normale politike. Zgjedhjet në veri do ta nxisin një kërkim të zgjidhjes më optimale, e cila pastaj padyshim se do të ndërlidhet edhe me asociacionin në përgjithësi”, tha ai.
Tutje, Muhaxhiri thotë se para themelimit të Asociacionit është e nevojshme të reformohet Lista Serbe dhe vendimmarrja në veri, që të mos rrezikohemi nga bosnizimi i Kosovës.
- Advertisement -
Ndryshe nga Muhaxhiri, mendon njohësi i rrethanave politike dhe procesit të dialogut Prishtinë-Beograd, Shqiprim Pula. Ai thotë për Radio Kosovën se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk do të ndikohet nga zgjedhjet e jashtëzakonshme që u majtën në veri.
“Zgjedhjet e datës 23 prill janë një proces krejtësisht i ndarë nga kërkesa për themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Procesi zgjedhor është konsolidim i institucioneve lokale, pas dorëheqjeve të kryetarëve. Ndërkaq, kërkesa për themelimin e asociacionit rezulton prej 10 vitesh tashmë, prandaj edhe i shoh si procese të ndara”, tha ai.
Pas zgjedhjeve të 23 prillit, katër komunat në veri të Kosovës do të udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë. Ndërkohë, në lidhje me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe statutin e këtij mekanizmi, pritet të diskutohet më 2 maj, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuqic, në kuadër të dialogut në Bruksel.