Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa’s, gjeneralbrigade Stephan Osborn së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jasharin, vizituan zonën e trajnimit të FSK-së në Babaj të Bokës, për të parë nga afër trajnimet e ushtarëve kosovarë në terren.
Kjo vizitë, sipas njoftimit për media lëshuar nga FSJ, është bërë në kuadër të vizitës së komandantit Osborn në zonën e trajnimit në Babaj të Bokës, ku Regjimenti i parë i Forcave Tokësore është duke realizuar ushtrimin fushor “Iron Wolf”.
“Gjeneralët përcollën nga afër skenarët e manovrës luftarake të ekzekutuara nga Regjimenti i parë, dhe ndër të tjera diskutuan për planet e investimit të FSK-së në zonën e trajnimit dhe poligonet e planifikuara në këtë zonë”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast komandanti i FSK-së gjeneral Jashari, ka falënderuar Gardën e Iowa’s për bashkëpunimin me FSK-në, dhe ushtrinë amerikane për mbështetjen me fonde për të investuar në këtë zonë me interes të veçantë për ushtrinë kosovare.
- Advertisement -
“Kjo zonë do të mund të shfrytëzohet edhe nga vendet partnere dhe të rajonit për të krijuar mundësi të shkëmbimit të përvojave dhe ndërveprueshmërisë”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim të FSK-së.