Arsenali po zbulon realitetin brutal për ndeshjen direkte me Manchester Cityn, në pjesën e fundit të një gare për titullin e kampionit në Premier League.
Përsosmëria është shumë e rëndësishme. Dhe për momentin, Arsenali është larg nga ajo. Tri barazime radhazi – i fundit në shtëpi kundër Southamptonit, ekipi i vendit në fundit në ligë – ka parë një rënie të formës tek ekipit londinez, që megjithatë nuk e ka humbur vendin e parë në tabelë. Të arriturat e Arsenalit po vihen në pikëpyetje seriozisht përpara provës vendimtare në futbollin anglez, ndeshjes që shumë po e vlerësojnë si dueli për titull.
Të mërkurën mbrëma, Arsenali është mysafir i Manchester Cityt në kuadër të xhiros së 33-të. Kjo ndeshje zhvillohet në “Etihad Stadium” dhe nis në orën 21:00.
Arsenali prin në tabelë me 75 pikë, pesë më shumë se City që zë vendin e dytë. Por City ka dy ndeshje më pak të zhvilluara. Për ta mbajtur vendin e parë në tabelë, Arsenalit i duhet patjetër fitorja kundër kampionit në fuqi.
- Advertisement -
“Ne me të vërtetë duam ta mbajmë pozitën aktuale dhe duhet ta dëshmojmë në këtë përballje se nuk jemi rastësisht liderë. Mirëpo për ta bërë këtë duhet të bëjmë paraqitjen më të mirë të mundshme të edicionit. Pra, të jemi të përsosur në çdo aspekt. Kjo është ndeshje e këtij niveli, pra e përsosmërisë absolute”, ka pranuar trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, të martën.
Përderisa për Arsenalin është ndeshje jetike, City është mësuar me ndeshje të tilla në këtë fazë të sezonit. Këtë e ka dëshmuar ndaj Liverpoolit në edicionin 2018/19 dhe 2021/22. Edicionin 2018/19, City e mbylli me 14 fitore rresht për ta fituar titullin e kampionit me një pikë më shumë se Liverpooli. Edhe edicionin e shkuar diferenca mes dy ekipeve ishte vetëm një pikë, pasi City në 12 ndeshjet e fundit nuk regjistroi humbje. I ka fituar 10 prej tyre.
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola është përsëri në të njëjtën situatë. City futet në ndeshjen kundër Arsenalit pas një serisë prej 16 ndeshjesh pa humbje në të gjitha garat, duke marrë 25 pikë nga 27 të mundshme në ligë gjatë kësaj periudhe.
“Kur fituam titullin tonë të parë në Premier League me 100 pikë në edicionin 2017/18, ne e nisëm sezonin sikur çdo ndeshje të ishte një finale. E mbaj mend në mënyrë të përkryer atë ndjenjë. Dhe Arsenali e pati këtë ritëm në fillim të këtij edicioni”, tha Guardiola të martën. “Kur filluam këtë edicion, pas titujve rresht në Premier League, ndeshjet e para nuk ishin finale. Por në muajt e fundit ne patëm atë ndjenjë – në Kupën FA, Ligën e Kampionëve dhe Premier League. Kjo është e vërteta. Ne shohim se fundi është shumë afër. Tani e dimë saktësisht se për çfarë po luajmë”, ka shtuar Guardiola.
Fakti që Arsenali ende mban një epërsi prej pesë pikësh është dëshmi e fillimit të jashtëzakonshëm dhe të pamundur të kampionatit, kur skuadra kishte 50 pikë nga 57 të mundshme në gjysmë të edicionit. Megjithatë, futbollistët e Artetas janë të rinj dhe nuk janë mësuar të përballojnë presionin e një gare për titull. Kjo edhe është arsyeja pse shumë e shohin Cityn favorit, duke marrë parasysh formën, dy ndeshjet me pak të luajtura se Arsenali dhe përvojën në këto situata.
- Advertisement -
“Unë mendoj se ka të bëjë më shumë me situatën. Momentet kyçe në ndeshjet e fundit nuk kanë shkuar sipas mënyrës tonë. Mund të ishte ndryshe, por jemi në këtë situatë dhe tani duhet të përballemi me të në mënyrën më të mirë të mundshme”, pranoi Arteta.
Ajo që mund të dëmtojë vërtet Arsenalin për momentin është lëndimi i qendërmbrojtësit William Saliba, i cili ishte ndër lojtarët më stabil të këtij edicioni, duke luajtur përkrah brazilianit Gabriel. Saliba do të mungojë ndaj Cityt, ndërsa edhe mesfushori Granit Xhaka mbetet në dyshim pasi mungoi në ndeshjen kundër Southamptonit për shkak të sëmundjes.
Ajo që mund të ketë kaluar pa u vënë re mes gabimeve të fundit të Arsenalit është se skuadra londineze është ende në seri prej 10 ndeshjesh pa humbje në kampionat. Kjo është arsyeja pse Arteta ruan shpresën dhe besimin te lojtarët e tij, edhe nëse ata humbin ndaj Cityt. Ai insiston se ky derbi nuk do ta vendosë kampionatin.
- Advertisement -
“Ne jemi hap pas hapi me Cityn. E dinim se do të na duhej të shkonim në Etihad dhe e kemi parasysh që pas këtij dueli do të kemi edhe pesë të tjera shumë të vështira. Kështu që nuk mendoj se ndeshja me Cityn do ta përcaktojë sezonin tonë apo do të jetë vendimtare për titull. Pavarësisht se çka do të ndodhë ne nuk do të dorëzohemi, por do të luftojmë sepse do të besojmë deri në fund”, insistoi Arteta.
Sa i përket Guardiolas, ai është i lumtur që Arsenali e ka lejuar Cityn të kthehet në garë për ta mbrojtur titullin.
“Pas gjysmës së parë të Premier Leagues dhe rezultateve që i kishte Arsenali, ishte vështirë të mendonim se do të ishim këtu në këtë moment. Tani jemi këtu dhe jemi të gatshëm për këtë ndeshje që e konsiderojmë si një finale të vërtetë”, u shpreh Guardiola.