Fundjava e kaluar u mbyll me dhunë në hendbollin kosovar. Ndeshja mes klubeve, të Vushtrrisë dhe Trepçës u ndërpre si pasojë e një përleshje në të cilën u përfshinë lojtarët vendas. Tre hendbollistë të Vushtrrisë, që dyshohen se sulmuan lojtarët mysafirë janë dënuar, duke u përjashtuar përherë me vendim të Federatës. Në anën tjetër, ky rast po hetohet edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me ç’rast vepra ndaj të dyshuarve është cilësuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
Deri më tani, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë marrë në pyetje disa dëshmitarë, ndërsa brenda afateve ligjore do të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.
Tre lojtarët e dyshuar janë Halim Miftari, Asllan Gërguri dhe Haki Vllahija, që janë përjashtuar përjetësisht nga hendbolli kosovar. Kurse, KH Vushtrria u dënua me 800 euro gjobë (300 euro për hedhje të mjeteve piroteknike, si dhe 500 euro për përleshjen e ndodhur), -3 pikë në renditjen tabelore dhe pesë ndeshje pa prezencë të publikut në palestër, ndërsa ndeshja e ndërprerë u regjistrua me rezultat zyrtarë 0:10 në favor të KH Trepçës.
Njëri nga hendbollistët e Trepçës që u sulmua në atë ndeshje ishte edhe ai tunizian, Yassine Henahem, i cili tha për ‘GazetaBlic Sport’ se ka dëmtime, por që fatmirësisht nuk janë shumë të rrezikshme.
- Advertisement -
“Faleminderit Zotit që nuk pësuam ndonjë dëmtim edhe më të rrezikshëm. Momentalisht jam mirë, vetëm se kam pak dhimbje nga ky sulm që morëm, por që fatmirësisht nuk janë dhimbje shumë të rrezikshme. Ka pasur raste ndonjëherë në sport, por asnjëherë raste të tilla si ky që përjetuam ne. Ne treguam respekt për kundërshtarin dhe publikun, nuk e di pse ata vepruan në atë mënyrë. Federata duhet të marrë përgjegjësin dhe vendimet e duhura që diçka e tillë të mos përsëritet në këtë shtet të mirë. Duhet respektuar kultura e sportit dhe etika sportive”, tha Henahem.