Personi i raportuar si i zhdukur ditën e djeshme në komunën e Kllokotit është lokalizuar dhe gjetur sot në orët e pasdites.
Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili bëri të ditur se gjetja e tij u bë e mundur falë bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Sot pasdite, personi është gjetur në një zonë pyjore në afërsi të vijës kufitare Kosovë-Serbi, në fshatin Kokaj. Menjëherë pas lokalizimit, ai është trajtuar nga ekipet mjekësore dhe, sipas vlerësimeve të para, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe e mirë”, tha Osmani.
Policia e Kosovës ka falënderuar të gjitha njësitë e përfshira në operacion si dhe qytetarët që ndihmuan me informacione të vlefshme, duke kontribuar në lokalizimin e shpejtë të personit të zhdukur.